West Ham i ndalon Adama Traore-s palestrën

Trajneri i West Ham, Nuno Espirito Santo, ka marrë një vendim të pazakontë duke i ndaluar sulmuesit anësor, Adama Traore, ngritjen e peshave në qendrën stërvitore.
Ndonëse lojtari 30-vjeçar njihet për fizikun e tij mbrësëlënës, trajneri beson se gjenetika e tij ka arritur kufirin dhe shtimi i mëtejshëm i masës muskulore mund të dëmtojë shpejtësinë e tij karakteristike.
Vendimi erdhi pasi shoku i skuadrës, Crysencio Summerville, publikoi një video të Traore-s duke ngritur 145 kg në “bench press”, pavarësisht se spanjolli kishte deklaruar më parë se nuk ushtrohej me pesha.
Nuno, i cili e ka stërvitur Traore-n edhe te Wolves, theksoi se lojtari duhet të fokusohet vetëm në ushtrime parandaluese të lëndimeve dhe jo në forcimin e muskujve, pasi “pesha që mbart aktualisht është e mjaftueshme”.
Ish-lojtari i Barcelonës, i cili u transferua te West Ham në janar për 2 milionë paund, po kërkon ende vendin e tij si titullar në betejën e “Hammers” për mbijetesë.
KosovaPress
